Balli Kombetar

From eRepublik Official Wiki
Jump to: navigation, search

Balli Kombetar

Balli_Kombetar.jpg
General Information
Country Flag-Albania.jpg Albania
Abbreviation PBK
Website [1]
Newspaper http://www.ballikombit.org
Organization http://www.ballikombit.org
Forum [2]
Colors Red and Black
Founded 1942
Dissolved http://www.ballikombit.org
Political
President Albanian Pirat
Vice President DardanH
Members 46
Congress Occupancy 1/20 seats, 5%
Orientation Center, Anarchist
Ideology Authoritarian


Platforma politike, ekonomike dhe sociale e partisë "Balli Kombëtar"

Dekalogu (1942) "Në robëri puna jonë është lufta. Në liri lufta jonë është puna" Mid`hat Frashëri

1. Luftojmë për Flamurin Kuq e Zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. 2. Luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne. 3. Luftojmë për një Shqipëri ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit. 4. Luftojmë për një Shqipëri të rregulleme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, d.m.th. të mos ketë njerëz që jetojnë në kurriz të të tjerëve; mos të ketë bujq pa tokë të vetën, të mjaftueshme, punëtorë krahu dhe mendjeje pa banesë dhe të jetë të sigurueme, pra një Shqipëri të rregullueme simbas sistem ekonomik rrënjësisht të reformuem simbas shpirtit dhe nevojave të pupollit shqiptar 5. Luftojmë për një Shqipëri ku do të zbulohen, do të përkrahen dhe të rriten vlerat e fshehura në çdo shtresë të popullit, me anë të shkollës shqiptare. 6. Luftojmë për një Shqipëri ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat, pa dallim moshe, krahine, besimi apo klase. 7. Luftojmë për të formue një Shqipëri të drejtueme nga njerëz të pakomprometuem, nga shqiptarë që nuk janë kursyer në çdo kohë e në çdo rrethanë për të shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë e të ndershëm. 8. Luftojmë për një Shqipëri që të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngatrestarët, spekulluesit, spiunët; për një Shqipëri ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët, feudalët dhe të gjitha ata që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë së Rilindur. 9. Luftojmë për të harmonizue dhe bashkue energjitë e Kombit, për të gatue bashkimin mendor dhe shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. 10. Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të Kombit, kundra pushtuesit, për realizimin e idealit të lartë kombëtar: "Shqipëria e Shqiptarëve"

Partia e Ballit Kombëtar është vazhduesja e të gjitha lëvizjeve të organizuara që kanë patur si qëllim bashkimin e kombit shqiptar, lartësimin moral të tij, përkryerjen e vlerave shpirtërore e zakonore, rritjen e ndjenjës kombëtare, arsimin e vazhdueshëm dhe ngritjen e parreshtur të mirëqënies së tij ekonomike.

Balli Kombëtar lindi në vitin e vështirë 1939, menjëherë mbas pushtimit të Shqipërisë nga okupatori italian si një lëvizje kombëtare-popullore për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht si një kundërshtim i hapur ndaj komunizmit internacionalist të importuar në Shqipëri nga Jugosllavia. Si një organizatë nacionaliste, Balli Kombëtar i vuri detyrë vetes të zgjojë në shpirtin e shqiptarëve ndjenjën e patriotizmit për mbrojtjen e atdheut, të mbushë mendjet dhe zemrat e njerëve me frymën e vullnetit dhe të vendosmërisë për të marrë mbi supe fatet e kombit. Balli Kombëtar lindi nga kjo nevojë dhe e ngarkoi veten me këtë detyrë. Beteja të shumta kundër italianëve filluan të shkruajnë historinë e kësaj organizate me gjak dëshmorësh, si beteja e Gjormit, Greshicës, Ruzhdijes, Selenicës, Beratit, Grehotit, Këlcyrës, Pogradecit, Qafë Shtanës, Reçit, Prezës, Pocestit, Luarit etj. Për hir të idealit kombëtar, Balli Kombëtar u shtriu dorën komunistëve për bashkëpunim, por këta një javë pas firmës që kishin dhënë në Mukje, të ndikuar totalisht prej përfaqësuesve komunistë jugollavë D.Mugosha dhe M. Popoviç e tradhëtuan dhe e hodhën poshtë këtë marrëveshje në Labinot. Qëndrimi armiqësor i komunistëve ndaj Ballit Kombëtar u legalizua me qarkoren e tyre të 9 shtatorit 1943, e cila në të vërtetë shënoi fillimin e luftës vëllavrasëse në Shqipëri. Kundër ballistëve filluan të ngrihen prita mbas shpine, të kryhen atentate dhe më vonë përpjekje dhe luftime të rregullta të formacioneve nacionalçlirimtare.

Mbas asaj që komunistët shqiptarë e quajtën çlirimin e vendit, në nëntor të vitit 1944, ku ndikuan mjaft dhe faktorët ndërkombëtarë, Balli la atdhenë jo për të shpëtuar kokën siç është pohuar në 50 vjet prej historiografisë zyrtare, por për të vazhduar luftën dhe në mërgim. Mid`hat Frashëri, Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Zef Pali, Ali Këlcyra, Hasan Dosti dhe qindra nacionalistë të ndershëm u munduan dhe mbajtën një qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë, larg atdheut dhe luftuan me të gjitha forcat e tyre për të mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare, në mbrojtje të popullit shqiptar që vuante nën thundrën e egër komuniste. Ndërkaq ata nuk nguruan të demaskojnë në mënyrë të veçantë me mjete propaganditike regjimin e urryer komunist, i cili po masakronte ardhmërinë e popullit. Kështu, udhëheqësi i shquar i Balli Kombëtar, Mid`hat Frashëri, në një letër që u dërgonte në vitin 1946 shqiptarëve të Amerikës, përveç të tjerave u thoshte: "Kolonitë tona, patriotizmën dhe shërbimin për atdheun e kanë në traditë. Detyrën tuaj ju a rrëfen ndjenja juaj njerëzore dhe inteligjenca juaj. Këtë letër po iu drejtonj atyre që e dinë çdo me thënë dashuri e prindërve; që kanë vetë familje; që e ndjejnë mallin e atdheut dhe që mbajën gjithnjë gjallë nostalgjinë e vatrës së largët të tyre. Gjaku ujë s`bëhet. As edhe njeriu nuk mund të bëhet bishë. Komuzima s`ka as më të paktin dyshim, që e keni kuptue edhe vetë, është sëmundje e tmerruar si tërbimi i qenëve dhe ujqëve, është një kolerë që nuk çkatërron vetëm trupin, por edhe më tepër akoma zemër dhe shpirtin e njeriut.

Dhe ja sot, në demokraci, Balli Kombëtar bërë një forcë reale në politikën shqiptare. Ai ka programin e vet, alternativën e vet për rrugët e zhvillimit të Shqipërisë drejt një demokracie evropiane duke patur në themel të politikës së tij idealin kombëtar. Në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit 1992, Balli Kombëtar duke vënë interesat kombëtare mbi ato partiake, i bëri thirrje elektoratit të vet që të votonte për Partinë Demokratike, si forca më e organizuar në Shqipëri për përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e një rendi demokratik. Balli Kombëtar e mbështeti qeverinë demokratike në shumë veprime të saj për kryerjen e reformës në Shqipëri, por në të njëjtën kohë pati kurajon ta kritikojë atë hapur, për qëndrime të lëkundura, për masat e pamjaftueshme dhe gjysmake për çrrënjosjen e komunizmit në Shqipëri, për qëndrimin ndaj ish të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve, për ligjin komunist të tokës, për mungesën e inisiativës në zgjedhjen e problemit të fshatarësisë dhe probleme të tjerë në lidhje me pronën.

Si pasojë e politikës "zemër-gjerë" të Partisë Demokratike ndaj komunistëve dhe "zemër-ngushtë" ndaj të përndjekurve politikë dhe pronarëve të ligjshëm, si pasojë e një reforme ekonomike me ngjyra majtiste, në Shqipëri filloi të ngrejë krye të gjallërohet e të bëhet agresiv komunizmi që nuk kishte vdekur. E maskuar me emrin "socialiste". Partia e Punës (ish-komunistë), fajtore e plotë e tragjedisë 50-vjeçare të popullit shqiptar, mori hua disa teza të ekonomisë së tregut, duke e paraqitur si e rinovuar. Por askush nuk u mashtrua nga kjo. Partia Socialiste ruan të paprekur dhe mban si të shenjtë ideologjinë e klasave, mbi diktaturën e proletaratit, mbi ekonominë e centralizuar. Ajo mban gjallë brenda saj urrejtjen për borgjezinë e vjetër, për ish-pronarët, për inetelektualët. Ajo kërkon të lidhet me Perëndimin duke qeverisur me mentalitet komunist dhe duke kryer eksperimente si ato bolshevike të klikës së Hoxhës. Qeverija socialiste në vitin 1997 e në vazhdim dëshmuan qartë për lëto prirje. Ajo urren për vdekje nacionalizmin shqiptar dhe aspiron për internacionalizmin komunist.

Rreziku i kthimit të komunizmit në Shqipëri nuk është një përrallë dimri, por një rrezik real dhe i mundshëm, që i kërcënohet demokracisë shqiptare dhe nacionalizmit shqiptar. Komunizmi shqiptar, më i egri dhe më gjakatari që ka parë bota, po kërcet dhëmbët duke kërkuar hakmarrje. Fati i Shqipërisë është në rrezik ashtu si 60 vjet më parë.

Prandaj forcat nacionaliste duhet të ndërgjegjësohen për këtë rrezik, duhet të braktisin indiferentizimin dhe apatinë politike, duhet të bashkohen dhe të punojnë me të gjitha mundësitë e tyre për të ndaluar rikthimin e komunizmit në Shqipëri. Për këtë qëllim popullit duhet t`i shpjegojmë mirë dhe të përhapim kudo alternativën që parashtron Balli Kombëtar, sepse zgjidhjet që jep për të dalë nga kjo gjendje e për të shkuar përpara janë pozitive.

Alternativa e Balli Kombëtar që paraqitet në platformën e tij ekonomike-politike-shoqërore është e thjeshtë dhe kuptueshme për të gjithë. Ajo jep zgjidhje të ditës dhe të prespektivës më të mira dhe më demokratike për të gjithë problemet që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Ajo është një alternativë që bazohet tek Dekalogu i Ballit Kombëtar, duke iu përshtatur gjendjes së sotme të prodhimit. Ajo është një alternativë për të gjithë shqiptarët.

Kapitulli 1-Çështja kombëtare

Në qëndër të programit të partisë Balli Kombëtar dhe të çdo platforme elektorale të tij qëndron dhe do të qëndrojë çështja kombëtare. Balli Kombëtar është një parti me karakter nacionalist, që ka si aspiratë bashkimin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnikë, lartësimin moral dhe shpirtëror, rritjen e ndjenjës së atdhedashurisë, arsimin e vazhdueshëm dhe ngritjen e pareshtur të mirëqënies ekonomike.

1. Balli Kombëtar aspiron bashkimin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnikë. Për shkak të padrejtësive të vjetra historike të Fuqive të Mëdha, gjysma e trupit të Shqipërisë vazhdon të jetë ende i shkëputur, i copëtuar dhe i ndarë ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë. Jemi i vetmi komb në Evropë, i masakruar fizikisht në këtë mënyrë. Çdo akt i ndërkombëtarëve që mbron të drejtat e kombeve, na jep të drejtën e ligjshme për të kërkuar bashkimin në një kufi të trojeve tona që quhet Shqipëri dhe të njerëzve tanë që quhen shqiptarë. Por duhet që të mos e kërkojmë këtë të drejtë si lypsarë, me kokën ulur. Prof.A.Ermenji thotë: "Asnjë vepër e madhe nuk mund të kryhet pa një besim të patundur në fund të vetëdijes". Një komb i vuajtur që kërkon bashkimin e tij nuk kërkon tjetër veç të drejtën e tij, të drejtën e vetvendosjes së popujve e cila qëndron në bazë të Kartës së Atlantikut dhe të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

2. Balli Kombëtar përkrah dhe mbron pa rezerva të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Greqi.në këtë rrafsh ne kemi detyrimin e vazhdueshëm moral, të jemi koherent në qëndrimin tonë, të bashkëpunojmë pa u lodhur me organizmat ndërkomëbatr, t`u bëjmë të njohur atyre kontinuitetin tonë shpirtëror, duke mos u pajtuar në asnjë mënyrë me veprimin e Konferencës së Ambasadorëve në fillim të shekullit që lamë pas.

3. Balli Kombëtar respekton vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës të dalë nga referendumi popullor dhe mbështet pa rezerva kërkesën e tij për të qënë një shtet i qeverisur prej bijve të vet. Balli Kombëtar njeh si të ligjshme me legjitime qeverinë e Kosovës dhe Presidentin Rugova, të zgjedhur me votën e lirë të popullit të Kosovës. Balli Kombëtar nuk pranon alternativë tjetër për këtë problem.

4. Balli Kombëtar mbron fuqishëm të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe u njeh atyre të drejtën shtetformuese, si komb që përbën 40% të popullsisë së shtetit maqedon, në bazë të akteve ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Ai ka përkrahur dhe do të përkrah çdo nismë të bashkëkombasve tanë atje, që lidhet me arsimin, gjuhën, kulturën dhe dimensione të tjera të identitetit tonë kombëtar.

5. Balli Kombëtar njeh dhe mbron të drejtat e çamëve të dëbuar me dhunë, për t`u rikthyer në trojet e tyre amtare në Çamëri, si dhe rikthimin e të gjitha pasurive të tyre të patundshme të konfiskuara padrejtësisht nga shteti grek.

6. Balli Kombëtar mbron gjithashtu të drejtat dhe liritë e çdo shqiptari në botë, kudo që ai jeton dhe punon.

7. Balli Kombëtar, duke patur si prioritet çështjen kombëtare në prioritet dhe politikën e tij të jashtme do të orientohet drejt atyre vendeve që respektojnë sovranitetin e Shqipërisë, mbështesin zgjidhjen e drejtë të çështjes tonë kombëtare dhe përkrahin sinqerisht integrimin e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar.

Kapitulli 2-Forma e shtetit dhe liritë e shtetasve

1. Balli Kombëtar është për formën republikane parlamentare që qeverisjes, për një pushtet demokratik të dalë nga vullneti dhe vota e lirë e popullit. Në të njëjtën kohë, Balli Kombëtar, respekton çdo kërkesë të ligjshme të cilësdo forcë politike në Shqipëri që paraqet një alternativë tjetër demokratike të qeverisjes dhe që sigurisht mbështetet nga vullneti i popullit.

2. Balli Kombëtar mbështet fuqimisht diversitetin e mendimit dhe pluralizmin politik në Shqipëri, respekton çdo alternativë të ndryshme nga e tija, që ka si qëllim përparimin ekonomik, politik dhe shoqëror të vendit.

3. Balli Kombëtar e konsideron votën e lirë dhe të fshehtë të popullit si të drejtën themelore të tij dhe si kushtin kryesor për zhvillimin e demokracisë së vendit. Vetëm vota e lirë që shpreh vullnetin e popullit, ka të drejtën legjitime të ndërrrimit të forcave politike në pushtet. Dhunimi ose manipulimi i saj, përbën një shkelje të rëndë të demokracisë në vend dhe do të ndeshë në kundërshtim të hapur të Ballit Kombëtar.

4. Balli Kombëtar lufton për ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Para ligjit të gjithë shtetasit shqiptarë janë të barabartë , pavarësisht nga mosha, besimi, seksi, kombësia, raca, gjendja sociale etj.

5. Balli Kombëtar i njeh çdo shtetasi të drejtën e fjalës dhe të shprehjes së mendimit publik, të drejtën e mbledhjes grumbullimeve dhe manifestimeve me karakter politik, ekonomik ose shoqëror, të drejtën e peticioneve dhe të referendumeve, të drejtën e pjesëmarrjes në një parti politike, në shoqata qeveritare ose të pavarura.

6. Balli Kombëtar njeh të drejtën e besimit fetar dhe ushtrimit të tij në institucionet fetare. Balli Kombëtar njeh si të ligjshëm në Shqipëri dhe garanton veprimtarinë e tre feve kryesore, islamike (përfshi bektashizmin), ortodokse dhe katolike. Nuk njeh dhe ndalon në parim veprimtarinë e sekteve të ndryshme fetare që mbjellin supersticione shfrytëzuese dhe përçajnë popullin shqiptar. Shteti është i ndarë nga feja, e cila duhet t`i shërbej unitetit dhe vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve. Shteti duhet të ndalojë me ligj veprimtarinë politike të institucioneve të ndryshme fetare.

7. Balli Kombëtar lufton që t`i pritet rruga çdo lloj diktature në Shqipëri. Prandaj ai e vlerëson të jashtëligjshme çdo veprimtari ose propagandë me ideologji komuniste, fashiste, raciste dhe antikombëtare.

8. Balli Kombëtar përkrah shtypin e lirë partiak dhe të pavarur. Ai mbron shprehjen e lirë të mendimit në shtyp dhe në masmedia në përgjithësi. Respekton diversitetin e mendimit, informacionin dhe alternativat e ndryshme. Por, Balli Kombëtar e konsideron të dënueshme me ligj shtrembërimin e qëllimshëm të informacionit, denigrimin e figurave kombëtare, dhunimin e jetës personale të individit, fyerjen dhe kërcënimin apo përpjekje të tjera abuzive për trafiqe influencash politike.

9. Balli Kombëtar njeh dhe mbron të gjitha të drejtat e pakicave kombëtare që jetojnë në Shqipëri në përputhje me aktet ndërkombëtare. Ai garanton liritë dhe të drejtat e tyre në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në barazi me të gjithë shtetasit shqiptarë. Balli Kombëtar nuk bën lëshime ndaj kërkesave të minoriteteve në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë, si pasojë e koniuktuarave ndërkombëtare.

Kapitulli 3 -Ekonomia

1. Prona private

Balli Kombëtar lufton për një Shqipëri demokratike që do të zhvillohet në bazë të parimeve kapitaliste të ekonomisë së tregut, pronës private dhe inisiativës së lirë, si në qytet ashtu edhe në fshat. Si parti nacionaliste Balli Kombëtar njeh paprekshmërinë e pronës private dhe e mbron atë me ligj.

1. Në themel të reformës ekonomike Balli Kombëtar vendos rikthimin e pronave ish-pronarëve të ligjshëm, të konfiskuara, të shtetëzuara dhe të sekuestruara padrejtësisht nga regjimi komunist.

2. Duke njohur përbërjen e popullsisë shqiptare 60-65% e së cilës jeton në fshat si dhe psikologjinë e saj, anën morale dhe shpirtërore, Balli Kombëtar mendon se problemi i tokës mbetet më i rëndësishëm aktual që kërkon një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme.

3. Balli Kombëtar, njeh paprekshmërinë e pronës private. Ai kërkon që toka t`i kthehet atij që i takon, duke hedhur poshtë parrullën leniniste "toka atij që e punon". Balli Kombëtar nuk e njeh reformën agrare komuniste të vitit 1946, që e ndau tokën e pronarëve të ligjshëm sipas numrit të familjeve. Në të njëjtën kohë, Balli Kombëtar e konsideron neokomunist ligjin 7501 mbi tokën që e ndau atë në bazë të numrit të frymëve.

4. Në Shqipëri ka patur dy lloj pronësie mbi tokën: prona e fshatarit apo e qytetarit, që e punonte tokën vet ose me anë punëtorësh dhe sistemin e çifliqve, i formuar në shek. XVIII prej tokash të dhuruara nga perandoria otomane nga disa familje të pakta në numër. Projekti i Reformës Agrare që do të përfshinte çifliqet, ka ekzistuar në Shqipëri që në vitin 1920 dhe Balli Kombëtar e ka parë atë reformë si bazën e politikës së tij ekonomike, duke shfaqur që në fillim idenë e zhdukjes së feudalizmit, ide e dhënë në Dekalogun e vitit 1942 dhe e konfirmuar në Kongresin e e kësaj partie në Napoli të Italisë, në vitin më 1950.

5. Reforma Agrare e Balli Kombëtar përban zgjidhjen më të drejtë të problemit të tokës, mbasi përfshin vetëm sistemin e çifligjeve dhe tokat e shtetit, të dyfishuara në sipërfaqe gjatë 50 vjetëve të regjimit komunist, si pasojë e hapjes së tokave të reja, tharjen e kënetave etj. Me këto toka do të plotësohen nevojat e fshatarëve me pak ose pa tokë.

6. Në kushtet e sotme, Balli Kombëtar mendon se megjithëse stadi i feudalizmit në Shqipëri është i tejkaluar, problemi agrar mbetet ende i pazgjidhur, sepse nuk është zgjidhur drejt problemi i pronësisë mbi tokën. Dhe pa një ligj demokratik mbi tokën nuk mund të ketë Shqipëri Demokratike. Balli Kombëtar gjykon se e vetmja alternativë e drejtë për këtë problem është njohja e plotë e pronave bujqësore ish-pronarëve të ligjshëm që përblidhen në pronën familjare, duke përjashtuar sistemin e çifligjeve. Në këto kushte, Balli Kombëtar jep sigurinë që prona e kolektivizuar prej komunizmit t`i rikthehet fshatarit ose qytetarit. Për trashëgimtarët e ish-çifligarëve mund dhe duhet të caktohet një shpërblim në sipërfaqe toke dhe në vlerë sipas një ligji të miratuar nga Parlamenti.

7. Në kushtet e sotme, Balli Kombëtar paraqet si alternativë dhënien në përdorim të tokës fshatarëve sipas ndarjes së tanishme, për një afat 5-10 vjeçar, me një tatim të arsyeshëm të përcaktuar me ligj, që do t`i jepet pronarit të ligjshëm. Gjatë kësaj kohe ne mbështesim idenë që të ndalohet shitblerja e tokave që janë dhënë në përdorim. Mbas kësaj kohe, marrëdhëniet qiradhënës-qiramarrës do të rregullohen sipas ligjeve të ekonomisë së tregut. Kjo zgjidhje mendojmë se mënjanon konfliktet sociale të lindura nga problemi i tokës.

8. Balli Kombëtar mendon se duhen kompensuar me tokë nga prona e shtetit të gjithë ata ish-pronarë tokash bujqësore, pyje, kullota e troje, prona e të cilëve nuk ekziston më fizikisht, për shkak të përmbytjeve nga ujrat e hodrocentraleve, ujësjellësave, krijimit të qëndrave të banuara ose çfarëdo arsyeje tjetër.

9. Balli Kombëtar synon të ndalë me ligje të rrepta çdo pushtim me forcë të pronave bujqësore dhe trualle të pronarëve të ligjshëm.

10. Balli Kombëtar mendon se duhet ndaluar me ligj shitblerja e tokës në zonat kufitare personave me shtetësi të huaj. Shteti duhet të subvensionojë fermerët shqiptarë që jetojnë e punojnë në këto zona, për t`i mbajtur ato gjithmonë të populluara.

11. Balli Kombëtar kërkon rikthimin e të gjitha pronave të pronarëve të ligjshëm të shtetëzuara ose të konfiskuara nga regjimi komunist, qofshin këto troje, shtëpi banimi, dyqane, punishte etj.

12. Në rast pamundësie rikthimi për shkak se ato realisht nuk ekzisojnë më (dyqane, shtëpi banimi. etj) ose kur mbi to (troje) është ngritur një objekt social (spital, shkollë etj) atëherë pronari i ligjshëm duhet të kompesohet fizikisht diku tjetër ose të dëmshpërblehet sipas vlerës së sotme të tregut. Në raste të veçanta konfliktesh sociale, shteti duhet të ndërhyjë duke i dhënë përparësi ish-pronarit.

13. Balli Kombëtar kërkon rikthimin e menjëhershëm të të gjitha pronave e pasurive të institucioneve fetare, të shtetëzuara padrejtësisht e me dhunë nga regjimi komunistë. Me këtë rast le t`i kërkojmë falje edhe Zotit.

14. Balli Kombëtar kërkon gjithashtu rikthimin e të gjitha shitjeve të bëra nga bordet e privatizimit pa ankand ose me ankande të manipuluara, që kanë favorizuar padretësisht "pronarët e rinj" në dëm të interesave të pronarëve të ligjshëm. Vetëm kështu do të vemë në vend padrejtësinë e madhe që iu bë nga regjimi komunist pronarëve të ligjshëm që punuan e u pasuruan ndershmërisht me djersën e ballit. Për fat të keq nuk mund t`u kthejmë jetën atyre që iu muar padrejtësisht nuk mund t`u rikthejmë rininë atyre që iu mohua mizorisht, nuk mund t`i kthejmë lumturinë atyre që u persekutuan dhe u gjykuan barbarisht, por është në nderin tonë t`u rikthejmë çka është e mundur dhe që u takon ligjërisht.

2. Rrugët e zhvillimitë të bujqësisë

Bujqësia është dhe do të mbetet për shumë kohë dega bazë e zhvillimit ekonomik të vendit. Prodhimi bujqësor lidhet ngushtë me jetën e pjesës më të madhe të popullsisë shqiptare e cila banon e punon në fshat. Prandaj është detyrë e shtetit shqiptar që të nxisë të përkrahë dhe të mbrojë nga konkurenca e huaj prodhimin bujqësor të vendit. E theksojmë këtë, pasi në vitet 2002-2003, qeveria shqiptare ka firmosur një varg dokumentesh për qarkullimin e lirë të mallrave ushqimore, pa marrë parasysh indikacionet negative të tyre në jetën e fshatarëve tanë.

1. Balli Kombëtar synon në rradhë të parë modernizmin e bujqësisë me mjete të mekanizuara për çdo proçes të prodhimit. Për këtë qëllim del e domosdoshme heqja e taksave doganore për një periudhë disa vjeçare në importin e makinerive dhe të paisjeve bujqësore. Krijimi i fermave moderne, të organizuara sipas tipit evropiano-perëndimor, mekanizmi i tyre, rritja e prodhimit të përgjithshëm bujqësor e blegtoral do të çelin premisat për eksportin e këtyre prodhimeve në gjendje natyrore ose të përpunuara, gjë që do të jetë e ardhur e konsiderueshme në valutë të huaj, si për fermerët, ashtu edhe për shtetin shqiptar.

2. Të mbrohet prodhimi bujqësor e blegtoral vendas nga konkurenca e huaj me anë të mekanizmit të taksave dhe tatimeve për prodhimet bujqësore të importuara.

3. Të përkrahet dhe të nxitet prodhimi bujqësor-blegtoral vendas me anë të kredive afat-mesme dhe afat-gjata me përqindje të ulët interesi nga banka bujqësore.

4. Të mbrohen me ligj tokat, ujrat dhe pyjet si një pasuri e madhe kombëtare.

5. Të zhvillohet infrastruktura në fshat me ndihmën e shtetit dhe mekanizmave të tij, për të lehtësuar qarkullimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale drejt qendrave të tregut dhe qendrave të përpunimit të këtyre prodhimeve.

6. Të nxitet, të përkrahet dhe të mbrohet me ligj zhvillimi i agro-industrisë në qendrat e vogla të banuara. Balli Kombëtar parasheh në zhvillimin e industrisë së vogël të përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale një nga rrugët më të sigurta e më të efektshme të përhapjes dhe zhvillimit të industrisë agrare në fshat, gjë që do të sjellë rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, punësimin e forcave të lira të punës, ndalimin e importit të artikujve bujqësore e blegtorale të përpunuara si dhe zhvilimin e fshatit në tërësi.

7. Balli Kombëtar synon në uljen e raportit të popullsisë shqiptare fshat-qytet në favor të këtij të fundit, me anë të mekanizmit të bujqësisë dhe zhvillimit të industrisë.

3. Industrializimi i vendit

Rruga e vetme e integrimit të Shqipërisë në Evropën e Bashkuar është industralizimi i vendit në bazë të inisiativës së lirë private, ndihmës së shtetit shqiptar dhe investimeve të huaja.

1. Balli Kombëtar mendon se prioritet në industrializimin e vendit duhet t`i jepet industrisë së lehtë dhe ushqimore, lënda e parë e të cilave mund prodhohet në vend. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që brenda një kohe relativisht të shkurtër të zhvillojë në nivele europiane mjaft degë të industrisë së lehtë, si p.sh. industrinë e materialeve të ndërtimit, të mobiljeve, të veshjeve, të këpucëve etj, si dhe të punimeve artizanale të cilat kërkojnë investime jo të mëdha.

2. Balli Kombëtar synon në zhvillimin e shpejtë edhe të industrisë ushqimore (vaj, sheqer, makarona, bukë konserva, mish, qumësht, djath etj.) të cilat janë baza e ushqimit të popullsisë.

3. Në bashkëpunim me organizma të ndryshme ndërkombëtarë, prodhuesve shqiptarë duhet t`u krijohen të gjitha lehtësitë e mundshme doganore e tatimore që të ndërpritet ose të pakësohet në mënyrë të ndjeshme importimi i këtyre artikujve dhe të marrë një hop të shpejtë zhvillimi i prodhimit të tyre në vend. Shteti dhe bankat e tij duhet të ndihmojnë me kredi afat-mesme dhe afat-gjata me interes të ulët dhe të mbrojë prodhimin vendas.

4. Balli Kombëtar synon t`u hapet rruga dhe t`u jepen konçensione investitorëve të huaj në ato degë të industrisë shqiptare që tani për tani janë të papërballueshme nga invetsitorët shqiptarë, si industria e nxjerrjes dhe e përpunimit të naftës, e nxjerrjes dhe e përpunimit të mineraleve etj, me të cilët nëntoka jonë është mjaft e pasur.

4. Turizmi

Shqipëria i ka të gjitha kushtet për zhvillimin e një turizmi të gjithanshëm, detar dhe malor, të brendshëm dhe ndërkombëtarë.

1. Balli Kombëtar synon ristrukturimin e të gjitha qendrave kryesore turistike të vendit, si Durrës, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Lezhë, Shkodër etj, me anë të përsosjes së infrastrukturës së tyre (rrugë, ujë të pijshëm, energji elektrike) dhe krijimit të kushteve lehtësuese për të nxitur inisiativën e lirë.

2. Balli Kombëtar synon gjithashtu të nxisë dhe të përkrahë zhvillimin e turizmit në të gjithë Shqipërinë, si në zonat bregdetare, ashtu dhe në zonat malore, si malësitë e Elbasanit, Krujës, Tropojës, Kolonjës etj.

3. Balli Kombëtar synon të nxisë fillimisht turizmin familjar për të gjithë shqiptarët që kanë nevojë të pushojnë dhe të njohin nga afër bukuritë e Shqipërisë, gjë që do të rrisë ndjenjën kombëtare dhe të atdhedashurisë.

4. Balli Kombëtar synon të përkrahë investimet vendase dhe të huaja për zhvillimin e një turizmi të nivelit të lartëbashkëkohor, gjë që do të jetë një burim i mirë të ardhurash për Shqipërinë, pa u shitur të huajve pikat turistike të vendit, por vetëm duke ua dhënë atyre në përdorim për një afat të caktuar kohor.

5. Ndërtimi

"Luftojmë që të mos ketë puntorë krahu dhe mendjeje pa banesë" thuhet në Dekalogun e Ballit Kombëtar. Pra, çështja e banesës së çdo shqiptari mbetet një nga pikat e programit të Ballit Kombëtar si një nevojë jetike e popullit, ende e papërmbushur si pasojë e politikës anti-sociale të regjimit komunist, si edhe të politikave anashkaluese ndaj këtij problemi në vitet e qeverisjes demokratike.

1. Balli Kombëtar synon të strehojë në banesa të përshtatshme të gjithë shqiptarët, por do t`u japë prioritet të padiskutueshëm të pastrehëve, ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, duke u dhënë atyre banesa falas, siç përfituan një pjesë e mirë e shqiptarëve.

2. Balli Kombëtar synon që ndërtimin e banesave (apartamenteve, vilave etj) ta lënë në dorë të inisiativës së lirë private duke ndihmuar me kredi lehtësuese të gjithë të pastrehët dhe ata që krijojnë familje të reja. Mbetet detyrë e shtetit ndërtimi dhe administrimi i objekteve social-kulturore në të gjithë Shqipërinë, si shkolla, muze, kinema, teatro, biblioteka, azile, spitale, martenitete, etj.

6. Tregtia, transporti

1. Balli Kombëtar synon që tregtia dhe transporti i brendshëm të mbeten tërësisht në duart e inisiativës së lirë private ndërsa një pjesë e tyre edhe sikundër ndodh në qytetet perëndimor ndërkombëtar të mbeten në duart e shtetit, për t`iu përshtatur prioriteteve dhe politikave sociale.

2. Balli Kombëtar synon të përkrahë dhe të nxisë tregtinë private (importin-eksportin) duke i prerë njëkohësisht rrugën spekullimeve në kurriz të konsumatorit, duke kontrolluar çmimet e artikujve bazë (grurë, sheqer, gaz,naftë, medikamente etj.) për të cilat shteti krijon kushte lehtësuese në tarifat, taksat dhe tatimet.

7. Shërbimet

1. Balli Kombëtar synon të nxisë dhe të përkrahë zhvillimin e shërbimeve si në qytet dhe në fshat,me të vetmin qëllim, për të lehtësuar kushtet e jetesës së shqiptarëve dhe për të hapur vende të reja pune. Në vendet e zhvilluara të botës, shërbimet zenë me punë 25-50% të fuqisë punëtore. Për këtë arsye, për të zbutur problemin social të papunësisë, që ka tendencë rritjeje, Balli Kombëtar do t`i kushtojë vëmendje të veçantë dhe do të gjejë rrugët më të përshtatshme për të zhvilluar këtë sektor kaq të rëndësishëm të jetës së përditshme duke investuar për të, nëpërmjet politikave të ndryshme.

Kapitulli 4 -Arsimi

Balli Kombëtar e konsideron arsimimin e popullsisë si një domosdoshmëri për të rritur shkallën e inteligjencës së tij në shërbim të zhvillimi ekonomik e kulturor të kombit shqiptar.

1. Balli Kombëtar përkrah mendimin se në Shqipëri duhet të funksionojë krahas arsimit shtetëror falas edhe ai privat.Por, ky i dyti duhet të jetë kurdoherë nën kontrollin e shtetit, në mënyrë të veçantë në pikëpamje të programeve. Arsimi 8-vjeçar duhet të jetë i detyrueshëm si për djemtë, ashtu dhe për vajzat në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë analfabetë.

2. Balli Kombëtar synon një arsim të mesëm të përgjithshëm të ndarë në real dhe klasik, si edhe një arsim të mesëm politeknik, për të nxjerrë mjeshtër prodhimi, që janë baza e industrisë shumëdegëshe dhe e bujqësisë së apolikuar. Shkollat e larta, institutet dhe universitetet duhet të jenë njëkohësisht qendra të arsimimit të lartë dhe të punës shkencore të kualifikuar për studime të mirëfillta shkencore.

3. Balli Kombëtar e konsideron armatën e madhe të mësuesve si një mbështetje të fuqishme të nacionalizmit shqiptar, e cila edukon brezin e ri me ndjenjën e atdhedashurisë dhe ndriçon mendjen e tij me dritën e kulluar të kulturës. Balli Kombëtar synon të përkrahë, të inkurajojë dhe të shpërblejë siç e meriton shtresën e arsimtarëve, që ata të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet e të respektuar në një shoqëri demokratike.

Kapitulli 5 -Kultura-Arti

"S`mund të ketë kombësi pa një shpirt kombëtar dhe s`mund të ketë shpirt kombëtar pa një kulturë të lartë kombëtare". Kjo sentencë e Kryetarit të Nderit të pasrtisë sonë, Prof. Abaz Ermenjit, qëndron në themel të pikëpamjeve së Ballit Kombëtar për rëndësinë e kulturës së një kombi. Prandaj qëllimi i Ballit Kombëtar është që Shqipëria të përparojë jo vetëm në ekonomi, por edhe në kulturë e art.

1. Balli Kombëtar synon të nxisë të përkrahë dhe të subvensionojë institucionet kulturore të vendit, për të argumentuar shkencërisht historinë, prejadhjen dhe zhvillimin në kohë të kombit dhe të gjuhës sonë.

2. Balli Kombëtar kërkon një rivlerësim objektiv e shkencor të të gjitha vlerave morale, kulturore e politike të kaluara të kombit tonë, të figurave të ndritura, të mohuara dhe të deformuara nga propaganda komuniste. Pa të shkuar nuk ka të ardhme. Siç thotë prof. A.Ermenji "E shkuara është një kohë e perënduar, por jo plotësisht e vdekur, sepse e sotmja është vazhdimi i fillit të saj dhe e nesërmja do të jetë vazhdimi i të sotmes"

3. Balli Kombëtar kërkon të rishkruhet historia e të dalë e vërteta mbi gjithçka të kaluar. Historianët komunistë e fshehën dhe fallsifikuan të vërtetën mbi historinë e popullit tonë, sidomos luftën e tij kundër pushtuesve të huaj në vitet 1939-1944. Edhe ndonjë përpjekje e bërë në vitet 1992-1997, nuk mundi të hedhë dritë plotësisht mbi ngjarjet kulmore të historisë së kombit. Ka ardhur koha që e vërteta të dalë në shesh, që populli të mësoj mbi vuajtjet, përpjekjet dhe luftën e nacionalistëve në të mirë të Shqipërisë. Populli duhet të mësojë se cilët qenë ata që e deshën dhe u vranë për kombin dhe cilët ishin ata që e tradhtuan dhe e shitën.

4. Balli Kombëtar kërkon që shteti të përkrahë dhe të financojë çdo studim me vlerë kombëtare në histori, gjuhësi, shkenca natyrore etj., si dhe çdo vepër madhore artistike në letërsi, muzikë, pikëturë etj. Balli Kombëtar vlerëson lart intelektualët dhe artistët, që me veprat e tyre i shërbejnë Shqipërisë dhe idealit kombëtar. Për ne çdo mendim, çdo vlerë e çdo studim në të mirë të Shqipërisë bën pjesë në thesarin e kulturës kombëtare.

Kapitulli 6- Shëndetësia

Shëndeti i një populli është treguesi më i qartë i kujdesit që shoqëria e shteti me të gjitha mekanizmat e tij tregojnë për të sotmen dhe të ardhmen e kombit. Një komb i shëndetshëm ka forcë për të rujatur identitetin e tij, për t`u zhvilluar e për të përparuar në të gjitha drejtimet në të kundërt, ai humbet vitalitetin e tij, sëmuret degjeneron dhe rrezikon të zhduket nëpër zagzaket e frikshme të historisë.

Balli Kombëtar lufton që të merren të gjitha masat për të ruajtur dhe mbrojtur shëndetin e popullit, duke e vlerësuar këtë problem jo si një çështje partiake, por si një detyrë e të gjithë shoqërisë shqiptare për mbijetesën e kombit.

1. Nisur nga parimi se është më e lehtë të parandalohet sëmundja se sa të shërohet ajo, Balli Kombëtar synon në rradhë të parë të përsosjen e profilaksisë si mjeti më i mirë parandalues.

2. Balli Kombëtar synon marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë popullsinë shqiptare dhe garantimin e higjenës së tij, sigurimin e higjenës së banesës dhe mjediseve përreth saj, higjenës së punës dhe mjediseve të punës, higjenës së mjediseve të shkollave etj.

3. Balli Kombëtar synon marrjen e masave rigoroze për të ndaluar ndotjen e mjedisit në të gjithë vendin si dhe miratimin e ligjeve tepër të rrepta për shkaktarët e shkatërrimit ekologjik, që do të thotë prishje e ekuilibrit biologjik të natyrës së mrekullueshme të vendit tonë.

4. Balli Kombëtar synon me krijimin e mekanizmave të nevojshme të kontrollit shtetëror për të gjithë artikujt ushqimorë të prodhuar në vend dhe të importuar, si edhe në hartimin e kuadrit të rreptë ligjor për t`i prerë udhën çdo spekullimi në dëm të shëndetit të popullit.

5. Balli Kombëtar synon thellimin dhe përsosjen e reformës shëndetësore për t`i garantuar popullit shqiptar mjekimin falas dhe afrimin gjithnjë e më të madhe e në kohën e duhur të mjekut pranë të sëmurit. Mjeku i shtëpisë, sipas përvojave perëndimore, është një nga prioritetet tona.

6. Krahas mjekimit të popullsisë të garantuar nga shteti, Balli Kombëtar pranon edhe mjekimin privat, të kontrolluar rigorozisht nga shteti, për t`i prerë rrugën spekullimeve të mundshme. Balli Kombëtar synon të marrë të gjitha masat dhe të luftojë për një legjislacion të rreptë ndëshkues për të parandaluar përhapjen në Shqipëri të drogës, SIDA-së, prostitucionit etj., që shkatërrojnë jo vetëm shëndetin, por edhe moralin e një kombi.

Kapitulli 7 - Institucionet

Balli Kombëtar synon një reformë institucionale të thellë, për t`i prerë rrugën rikthimit të çdo lloj diktature në Shqipëri dhe për të vendosur një demokraci të vërtetë.

1. Institucioni më i lartë i vendit është Presidenti i Republikës, i cili duhet të qëndrojë jashtë çdo partie dhe mbi të gjitha partitë. Ai përfaqëson unitetin e kombit.

2. Këshilli i Ministrave është ekipi që ekzekuton politikën e shtetit në të gjitha fushat e jetës dhe mban përgjegjësi kolektive e individuale para Kuvendit Popullor për të gjitha vendimet dhe urdhëresat që nxjerr.

3. Balli Kombëtar synon një administratë shtetërore sa më të vogël në numër, që të ketë një status të veçantë me detyra dhe të drejta të përcaktuara qartë, për të cilat duhet të përgjigjet ligjërisht. Kjo do t`i presë rrugën burokracisë dhe korrupsionit fenomeneve këto kaq shumë të përhapura sot, me tendenca gjithnjë në rritje si rezultat i keqqeverisjes socilaiste.

4. Balli Kombëtar synon t`i japë Komisionit të Kontrollit të Shtetit të gjitha atributet dhe kompetencat e një organi drejtësie, që të hetojë, të verifikojë dhe të marrë masa ndëshkimore ndaj kujtdo që ka abuzuar dhe vazhdon të abuzojë me pasurinë dhe djersën e popullit. Të bëhet verifikimi i të gjitha të ardhurave ( pasurive së tundshme dhe të patundshme) të të gjithë personave të lartë zyrtarë deri në nivel drejtorësh të ndërmarrjeve shtetërore. Të zbulohen personat përgjegjës për shkelje financiare dhe të përgjigjen ligjërisht.

5. Pushteti lokal, si themeli i rendit demokratik, të gëzojë pavarësi të plotë nga pushteti qëndror brenda kompetencave të tij dhe t`i ushtrojë ato në qeverisjen lokale. Statuti, detyrat dhe të drejtat e administratës së pushtetit lokal janë të njëjta me ato të administratës qëndrore shtetërore. Balli Kombëtar është i prirur që në pushtetet e të dy niveleve, të drejtojnë njerëz me kompetencë intelektuale, vizionare, të ndershëm, me përvojë sa më të thellë jetësore.

6. Për t`u ndarë përfundimisht nga e kaluara, Balli Kombëtar synon funksionimin relevant të institucionit të rehabilitimit të ish-të përndjekurve politikë. Qëllimi i Ballit Kombëtar është drejtësia dhe jo hakmarrja. Për këtë arsye, instituti i rehabilitimit duhet të hapë dosjet e mbyllura dhe të rishikojë objektivisht të gjitha proceset politike të kaluara, qysh nga 29.11.1944. Të ndërshkohen dhe të marrin dënimin e meritur të gjithë ata që shkelën ligjet e atëhershme dhe nëpërkëmbën të drejtat elementare të njeriut në hetuesi, gjykatë dhe prokurori. Ky do të jetë hapi i parë drejt pajtimit dhe bashkimit kombëtar.

7. Balli Kombëtar gjykon se mungesa e plotë e rendit publik si pasojë e klaneve mafioze socialiste në pushtet, inkriminimit të gjykatave, vakumeve ligjorë të lëna enkas nga juristë të atashuar dikur në Institutin e Studimeve Marksiste si edhe të formave të ndryshme të korrupsionit, kanë bërë që shqiptarët të humbasin sigurinë e jetës dhe qetësisë, që janë të drejta themelore të tyre. Kjo ka bërë që shumë njerëz të humbasin besimin tek demokracia dhe të kthejnë sytë prapa me nostalgji. Balli Kombëtar synon të ndërtojë një rend publik të tillë, i cili nëpërmjet zbatimit me rreptësi të ligjit t`u sigurojë shqiptarëve garancinë e jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre, si dhe qetësinë e përditshme, duke parandaluar dhe ndëshkuar me masa deri ekstreme çdo rrugaçëri, tentativë krimi dhe krim ndaj shtetasve. Balli Kombëtar kërkon të zbatohet dhe të ndërshkohet ashpër çdo korrupsion në organet e ruajtjes së rendit publik. Me këto masa drastike, duhet t`i pritet rruga krimit të organizuar dhe t`u kthehet shqiptarëve dinjiteti i nëpërkëmbur dhe besimi në të ardhmen.

8. Balli Kombëtar kërkon të rishikohet legjislacioni i tanishëm dhe të parashikohet dënimi kapital për akte terrorizmi, grabitje të fëmijëve, akteve të përdhunimit, vrasjeve me paramendim etj.

9. Shërbimi informativ shtetëror (SHISH) duhet të zbulojë dhe të parandalojë veprimtarinë kundër shtetit dhe kombit shqiptar të çfarëdo forme qofshin ato, veprime konkrete ose propagandistike. Shish-u duhet të qëndrojë jashtë partive politike, duke mbrojtur vetëm interesat kombëtare.

Kapitulli 8 - Politika sociale

Si një parti tradicionalisht nacionaliste, Balli Kombëtar ka luftuar qysh nga krijimi për një Shqipëri demokratike dhe me baza shoqërore moderne. Balli Kombëtar ka luftuar për një Shqipëri të rregulluar ekonomikisht, ku të mos ketë shfrytëzim dhe secili të rrojë me djersën e ballit dhe të krahut. Kjo do të thotë ndërtimi i një shoqërie pa konflikte të ashpra sociale, pa polarizime të tejskajshme të mirëqenies ekonomike, pa njerëz të braktisur, të uritur, të dëshpëruar. Kjo do të thotë që të gjithë shqiptarët të jenë vëllezër e të ndihmojnë njëri-tjetrin në vuajtje dhe fatkeqësi. Kjo do të thotë të ndërtosh një Shqipëri ku drejtësia, shoqëroria të jetë një nga shtyllat e përparimit në rrugën e vështirë të asocim-stabilizimit në Bashkimin Evropian. Si e tillë ajo do të hyjë në familjen evropiane me dinjitet.

1. Balli Kombëtar synon të tregojë një kujdes të veçantë për shtresat më të varfra të shoqërisë, në rradhë të parë për të përndjekurit politikë, që vuajtën për 50 vjet në skëterrën komuniste, duke humbur rininë, shëndetin, pasurinë dhe shpesh herë jetën. Ish të përndjekurit politikë janë trashgimtarë të luftës mbarëkombëtare antikomuniste që mishërojnë qëndresën, vuajtjen dhe martirizimin e një të tretës së popullsisë shqiptare.

2. Balli Kombëtar nuk është pajtuar në asnjë rast me qëndrimet e qeverisjes demokratike 1992-1997 kurrsesi me qëndrimin e partisë Demokratike ndaj kësaj shtrese, me indiferencën apo me qëndrimin brutal ndaj kërkesave të tyre të drejta dhe të ligjshme. Balli Kombëtar nuk mund të pajtohet edhe me demagogjinë e sotme të qeverisjes socilaiste, e cila ka ngritur komisionin pas komisioni gjoja për verifikime, por që në të vërtetë kërkon të shtyjë dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë për në kalendat greke. Ne kemi qënë dhe do të jemi si në krye të protestave paqësore përkrah të burgosurve politikë, ashtu edhe do ngremë zërin në Parlament dhe përpara organizmave ndërkomëbtar, deri në respektimin final të kësaj shtrese e cila mbetet akoma sot shtresa më e varfër ekonomikisht dhe e keqtrajtuar shoqërisht.

3. Balli Kombëtar synon t`i rikthejë kësaj shtrese menjëherë jo vetëm të gjitha pronat e rrëmbyera padrejtëisht nga regjimi komunist, por edhe dinjitetin e nëpërkëmbur, duke i rehabilituar ata dhe familjarët e tyre edhe në aspektin moral sipas të drejtës që iu jep vuajtja dhe prejadhja e tyre.

4. Të njëjtin qëndrim Balli Kombëtar do të mbajë edhe ndaj ish-pronarëve, të përndjekurve ekonomik (kulakëve) dhe familjeve të tyre.

5. Balli Kombëtar synon të krijojë në Shqipëri një mjedis të përshtatshëm pune, shkollimi dhe argëtimi, në mënyrë që rinia të shohë e ta kërkojë të ardhmen e vet në Shqipëri dhe jo në dhe të huaj. Me masa energjike, duke hapur vendet të reja pune dhe persektivë të qartë, duhet mbyllur sa më shpejt plaga shoqërore e emigracionit. Shqipëria me potencialin e saj ekonomik, me burimet e pasura të mbitokës dhe të nëntokës, i ka të gjitha mundësitë për t`i siguruar rinisë punë dhe jetesë normale në Shqipëri. T`i jepet fund punës së zezë, prostitucionit dhe poshtërimit fizik e moral të shqiptarëve në emigracionin klandestin. Emigracioni si një e keqe e përkohshme, duhet të lejohet vetëm në marrëveshje dypalëshe ndërmjet një shteti të huaj dhe shteti shqiptar, i cili duhet të përkujdeset dhe të mbajë përgjegjësi të plotë për fatin e shqiptarëve kudo në botë, dhe jo të shndrohet në tragjedinë fatale për jetën e shqiptarëve.

6. Ndër shtresat e pambrojtura që kanë nevojë për ndihmë sociale, Balli Kombëtar rradhit edhe pensionistët, paga e të cilëve duhet të jetë në nivelin mesatar të jetesës dhe ansnjëherë në kufirin më të ulët jetik. Balli Kombëtar synon që atyre, si shtresë e njerëzve që kanë mbi supe një jetë të tërë pune e sakrificash, t`u krijohen kushte sa më lehtësuese, me pagesë të ulët, në shumë sfera të jetës së përditshme, si transport, blerje medikamentesh, shërbime shtëpiake etj., e deri në veprimtarinë çlodhëse e argëtuese si kinema, teatër, ekspozita etj.

7. Balli Kombëtar synon që t`u krijohen të gjitha kushtet normale të jetesës fëmijëve jetimë, antikapatëve fizikë dhe mendorë, pleqve të vetmuar ose të braktisur, në mënyrë që ata të integrohen sa më mirë në shoqëri e të mos ndjehen të pambrojtur.

8. Në politikën sociale, Balli Kombëtar ka si synim më të lartë pajtimin dhe bashkimin kombëtar. Asnjë komb nuk mund të qëndrojë dhe nuk mund të përparojë pa u bashkuar rreth një ideali kombëtar. Dhe asnjë individ nuk mund të jetë i lumtur dhe të gëzojë lumturinë e tij në një komb të përçarë, ku sundon urrejtja dhe hakmarja. Ne shqiptarët duhet të nxjerrim mësime më shumë se kushdo nga historia, e cila nuk i fal gabimet. Kemi gabuar shpesh herë në histori dhe ajo na ka ndërshkuar me prapambetje dhe me copëtimin e trojeve etnike. Kemi ditur, në raste të veçanta, të bashkohemi dhe historia na ka shërbyer. Sidoqoftë në sajë të vitalitetit tonë si popull, kemi mundur të mbijetojmë.

Sot para nesh shtrohet çështja madhore e pajtimit dhe e bashkimit kombëtar, pa të cilën nuk mund të ketë komb të formuar dhe as mund të flitet për zhvillimin e përparim. Balli Kombëtar konstaton se si pasojë e plagëve të vjetra shoqërore, por sidomos luftës së klasave, që u zhvillua me një fanatizëm të paparë për 50 vjet, populli shqiptar është i përçarë, duke operuar me urrejtje dhe jo me dashurinë. Riti primitiv i gjakmarrjes vazhdon të aplikohet ende në trevat veriore shqiptare, duke marrë jetë njerëzish e duke ndrydhur shpirtërisht shumë të tjerë. Konfliktet sociale të lindura këto vitet e fundit për shkak të ligjeve komuniste mbi njohjen dhe rikthimin e pronës private, masat gjysmake të marra për dënimin e genocidit, lindja e fenomeneve të tilla si korrupsioni, krimi i organizuar, droga, prostitucioni etj., kanë bërë që jo vetëm të mos mbyllen plagët e të kaluarës, por të happen të tjera, akoma më të dhimbshme.

Të gjitha këto fenomene vënë në armiqësi shqiptarin me shqiptarin, duke i larguar njerëzit nga ideali i lartë kombëtar, nga rruga e dashurisë dhe e vëllazërimit, duke i futur ata në përçarjen e përhershme të kombit deri në zhdukjen e tij.

Balli Kombëtar, për të zgjidhur këtë problem jetik shtron këto alternativa:

1) T`i jepet fund gjakmarrjes, jo vetëm me anë të pajtimit të gjaqeve, por me masa të rrepta ligjore për të gjithë ata që mohojnë shtetin ligjor dhe përdorin vetëgjyqësinë.

2) Të ndriçohet e kaluara 50 vjeçare me anë faktesh dhe dokumentash historike. Të hidhet dritë mbi luftën civile në Shqipëri gjatë vietve 1943-1944, të zbulohen shkaktarët dhe të përcaktohen përpara historisë fajtorët dhe viktimat.

3) Të çohet deri në fund me konsekuencë zbulimi dhe ndëshkimi i genocidit komunist kundër popullit shqiptar, pasi deri tani ky zbulim ka rezultuar segmentar.

4) Të zgjidhet njëherë e mirë problemi i pronës së ligjshme dhe t`u rikthehen ish pronarëve pronat e tyre.

5) Të dëmshpërblehen realisht ish të përndjekurit politikë për vuajtjet e tyre në regjimin komunist dhe të integrohen sa më parë në jetën e vendit.

6) T`i pritet rruga dhe të ndërshkohen rreptë korrupsioni shtetëror, krimi i organizuar politik dhe moral, përhapja e drogës, prostitucionit etj.

7) Shqiptarët t`i japin dorën njëri-tjetrit, të pajtohen të harrojnë mëritë dhe të shohin njëri-tjetrin si vëllezër. Të zhvillojnë tolerancën, mirëkuptimin dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Këtej e tutje të shohim vetëm përpara dhe të bëhemi të ndërgjegjshëm se Evropa e Bashkuar nuk mund të pranojë në gjirin e saj kombe të përçarë, në mëri, në grindje, në kushte të ushtrimit të terrorit psikologjik e fizik midis tyre.

8) Të kultivojmë tek fëmijët tanë traditat më të mira të paraardhësve tanë si atdhedashurinë,besën, nderin, trimërinë etj, virtyte të njohura të popullit tonë dhe me vlera universale.

9) Të kthejmë sytë nga puna dhe nga dituria, duke fituar kohën e humbur, për të rritur mirëqenien dhe kulturën tonë, për të përparuar Shqipërinë dhe për ta vënë atë në rradhën e kombeve të ndershëm të Evropës.

10) Të bashkohemi të gjithë, pa dallime partiake rreth idealit kombëtar, për ta çuar deri në fund zgjidhjen përfundimtare, çështjen madhore të bashkimit të trojeve tona në një kufi të vetëm që quhet Shqipëria e Shqiptarëve.


© Partia Balli Kombëtar